Klubi Studentor i Inovacionit dhe Sipërmarrjes në Western Balkans University organizoi aktivitetin me temë “Young AI Leaders: Introduction to AI for Good – A Session on Responsible AI”, me fokus përdorimin etik dhe të përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale dhe potencialin e saj për të kontribuar pozitivisht në shoqëri.
E ftuar në këtë aktivitet ishte Sara Çela, drejtuese e Young AI Leaders Tirana, pjesë e nismës AI for Good të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara.
Sesioni u ofroi studentëve mundësinë të njihen më nga afër me rolin në rritje të Inteligjencës Artificiale në shoqërinë bashkëkohore, duke i kushtuar vëmendje të veçantë inovacionit të përgjegjshëm, aspekteve etike dhe rëndësisë së zhvillimit të teknologjive që adresojnë sfida konkrete.
Përmes këtij aktiviteti, pjesëmarrësit u inkurajuan të reflektojnë mbi përgjegjësitë që lidhen me zhvillimin dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale, si dhe mbi rolin e të rinjve në formësimin e një të ardhmeje ku përparimi teknologjik kontribuon në mirëqenien e shoqërisë.
Nisma theksoi gjithashtu rëndësinë e aktiviteteve të organizuara nga studentët në nxitjen e inovacionit, mendimit kritik dhe angazhimit me teknologjitë e reja.
Përmes aktiviteteve të tilla, Western Balkans University vijon të mbështesë iniciativat studentore, zhvillimin e përgjegjshëm teknologjik dhe shkëmbimin e njohurive mbi çështje që ndikojnë në të ardhmen e shoqërisë.